Java e 17-të e Serisë A ka dhuruar një tjetër arrati të Juventusit ndaj Interit, që cilësohet si kundërshtari kryesor në luftën për titull të bardhezinjve. Skuadra e Kontes ka mundur 3-0 Atalantën, duke qenë tashmë 7 pikë larg zikaltërve që u mundën një ditë më parë nga Lacio.
Ndeshja e Juventusit ka qenë shumë thjeshtë, pasi është zgjidhur shpejt. Vuçiniç ka gjetur golin e avantazhit që në minutën e dytë dhe pa kaluar 15 minuta, rezultati ishte 2-0 për bardhezinjtë falë goditjes së dënimit të Pirlos. Sikur të mos mjaftonte kjo, goli i tretë i Markizio pa u mbushur gjysmë ore lojë dhe kartoni i kuq i Manfredini vetëm pak minuta më vonë, mbyllin praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë duke i dhënë një fitore shumë më të lehtë sesa mendohej Juventusit, që priste më shumë rezistencë nga skuadra e cila në këtë kampionat ka mundur Milanin, Napolin dhe Interin.
Një fitore e thellë 4-1 ka qenë ajo e Milanit përballë Peskaras, por rezultati nuk pasqyron krejtësisht atë që kanë dhënë skuadrat në fushën e lojës. Ndonëse Milani kaloi në avantazh që në minutën e parë të sfidës me Noçerinon, për suksesin duhet të falënderojë vetë Peskarën, pasi autogolat e jashtëzakonshëm të Abruskato e Xhonatas në pjesën e dytë ishin ato që vendosën realisht fatin e kësaj ndeshje. Nuk mund të mungonte në minutat e fundit edhe goli i zakonshëm i El Sharauit, i cili kryeson i vetëm klasifikimin e golashënuesve më të mirë të kampionatit italian.
Rezultati surprizë i kësaj jave është humbja 1-0 e Romës përballë Kievos, një disfatë e cila ka ardhur vetëm dy ditë pasi trajneri i skuadrës kryeqytetase, Zdenek Zeman, deklaronte se skuadra e tij po luftonte për titullin kampion, ndonëse aktualisht e sheh veten 12 pikë larg Juventusit kryesues. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 17 / Rezultatet
Fiorentina-Siena 4-1
16’, 79’ Toni, 19’ (p) Pizarro, 45’ Akuilani / 70’ Rexhinaldo
Katania-Sampdoria 3-1
55’ Palialunga, 65’ Bergesio, 90’ Kastro / 29 (p) Mareska
Kievo-Roma 1-0
87’ Pelisier
Xhenoa-Torino 1-1
29’ Grankvist / 19’ Bianki
Juventus-Atalanta 3-0
2’ Vuçiniç, 14’ Pirlo, 27’ Markizio
Milan-Peskara 4-1
1’ Noçerino, 51’ (ag) Abruskato, 79’ (ag) Xhonatas, 81’ El Sharaui / 56’ Terlici
Parma-Kaljari 4-1
22’, 86’ Belfodil, 55’ Biabiani, 65’ (p) Valdes / 20’ Sau
Napoli-Bolonja 2-3
50’ Gamberini, 70’ Kavani / 10’ Gabiadini, 86’ Kone, 89’ Portanova
Sunday, 16 December 2012 17:26