Komitet Olimpike kontinentale kanë aprovuar me shumicë votash zhvillimin për herë të parë të Lojërave Evropiane, që do të debutojnë në Baku të Azerbajxhanit në qershorin e vitit 2015.
Votimi i fshehtë e Komiteteve Olimpike Evropiane i dha fund shumë viteve debate mbi zhvillimin apo jo të këtij aktiviteti, pasi u miratua me 38 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime. Rezultati gjithsesi u prit me duartrokitje nga salla e Asamblesë dyditore të Komitetit Olimpik Evropian.
Kontinentet e tjera kanë aktivitete të këtij lloji prej shumë vitesh si Lojërat Aziatike apo Lojërat Pan-Amerikane. Pengesa më e madhe për zhvillimin e Lojërave Evropiane ishte fakti se dy sporte madhore, atletika dhe noti, kishin aktualisht aktivitete të tyre kontinentale që zhvillohen prej shumë vitesh dhe nuk dihet nëse do të marrin pjesë në aktivitetin që zhvillohet në vitin 2015.
Datat nuk janë përcaktuar ende por pritet që në këtë aktivitet të marrin pjesë rreth 7 mijë atletë, në garat e 15 sporteve të ndryshme të konfirmuara deri tani, plus dy sporte që nuk janë disiplina olimpike, për të cilat nuk është bërë e ditur ende se cilët janë. Komiteti Olimpik Evropian ka filluar negociatat me Unionin Evropian të Gjimnastikës, në mënyrë që edhe ky sport të përfaqësohet në këtë aktivitet. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 December 2012 12:30