Pista e Makaos është kthyer në pistën e vdekjes gjatë kësaj jave. Pas aksidentit fatal të portugezit Luis Karrera, një tjetër tragjedi ndodhi në këtë pistë brenda 24 orësh. Këtë radhë ishte piloti nga Hong Kong, Filip Jau Uing-Çoi. Makina e tij, Shevrolet Kruz, u përplas me 200 kilometra në orë me muret rrethuese gjatë kualifikueseve të “CTM Macau Touring Car Cup” të Çmimit të Madh të Makao dhe u përfshi nga flakët.
Në momentin e mbërritjes së ndihmës së shpejtë, Jau ishte ende brenda makinës që digjej. Ndonëse u transferua në spital me urgjencë, ai u nda nga jeta rreth 30 minuta pasi mbërriti në qendrën spitalore.
Incidentet e vazhdueshme në këtë pistë, që cilësohet një nga më të vështirat edhe më të rrezikshmet në botë, kanë bërë që të lindin polemika të ashpra. Por koordinatori i kësaj gare, Zhoao Manuel Kosta Antunes, ka qëndruar i palëkundur para tyre.
“Në më shumë se 60 vite që zhvillohet kjo garë, standardet e sigurisë mund të cilësohen të pranueshme. Kush jeton me sportet motorike e di saktësisht se për çfarë e kam fjalën”, tha ai duke kujtuar se që nga viti 2005 në këtë pistë ka patur “vetëm” 2 vdekje të pilotëve të motorëve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 09:30