Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka bërë të qartë se ndeshja miqësore kundër Kamerunit do të jetë një mundësi për të parë nga afër disa futbollistë të rinj, por kjo nuk do të thotë se do të eksperimentohet pa kriter ndaj ekipit afrikan.
“Nuk mendoj se do të bëjmë eksperimente në këtë ndeshje. Le të themi se do të jetë pak a shumë formacioni që luajti kundër Sllovenisë. Sigurisht që mund të ketë dy apo tri ndryshime, por nuk mund të themi se do të bëjmë eksperiment. Dua që skuadra të paraqitet mirë dhe të luftojë për ta fituar këtë ndeshje”, ishte premtimi i guximshëm i trajnerit italian, duke parë se në radhët e ekipit kamerunas ka lojtarë mes më të mirëve në botë, si Samuel Eto’o apo Aleks Song.
“Kameruni ka disa futbollistë që nuk janë të zakonshëm. Kanë Eto’o, kanë Song, por edhe futbollistë të tjerë që mund të bëjnë diferencën. Unë u druhem atyre edhe në aspektin fizik, sepse është një ndër armët më të forta që kanë. Sa i përket Eto’o, do të ishte më mirë që të merrja një snajper dhe ta qëlloja nga tribuna pasi, në të kundërt, nuk ke shans ta ndalësh”, ishte batuta e trajnerit italian rreth sulmuesit që ka një të kaluar shumë të suksesshme në skuadra si Barcelona e Inter.
Në fund, trajneri ka komentuar edhe grumbullimet e reja në kombëtare, por edhe arsyet pse janë lënë jashtë disa futbollistë të veçantë, të cilët kanë qenë zakonisht në kombëtare.
“Kam grumbulluar të rinj për t’i parë, pikësëpari në seancat stërvitore që do të zhvilloj. Nuk mund t’ju them se cili prej tyre do të jetë titullar dhe cili në stol. Nga kjo ndeshje dua të shoh gjendjen e skuadrës dhe pres një përgjigje në fushë edhe nga disa futbollistë. Synimi im është që t’i zgjerojmë disi alternativat për pjesën tjetër të ndeshjeve eliminatore, me qëllim që të ketë konkurrencë në grup, por edhe mundësi zgjedhjeje. Bogdani e Salihi përfundimisht jashtë? Jo, absolutisht jo. Bogdani dhe Salihi janë pjesë e projektit që unë kam për ekipin përfaqësues. Salihi është duke luajtur në fazën “play-off” në SHBA dhe afati kohor që kishim në dispozicion nuk ishte shumë i përshtatshëm për të. Ndërsa Bogdani ka një axhendë të ngjeshur te Siena, sepse kjo skuadër po luan ndeshje realisht të rëndësishme, ku Bogdani mund të përfitojë për të pasur më shumë hapësira. Pastaj, më falni, por mendoj se të gjithë e dimë se çfarë potenciali ka Bogdani, apo jo?!”, deklaroi tekniku italian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 November 2012 15:48