Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore kundër Kamerunit me 14 nëntor. Lajmi është zyrtarizuar nga FSHF që ka bërë të ditur se është arritur akordi mes palëve për zhvillimin e kësaj ndeshje, ndonëse ajo do të bëhet në një fushë asnjanëse, me më shumë probabilitet në Zvicër.
Data 14 nëntor është datë e lënë e lirë nga FIFA për takime ndërkombëtare dhe meqë Shqipëria nuk ka planifikuar në kalendarin e saj të luajë ndeshje për kualifikueset e Botërorit 2014, e ka shfrytëzuar atë për të luajtur miqësore. Si rrjedhojë, janë kërkuar kombëtare cilësore në mënyrë që trajneri De Biasi të shihte ekipin përballë një kundërshtari të fortë. Pas kontakteve me një kompani menaxhimi është arritur të sigurohet zhvillimi i kësaj ndeshje me Kamerunin, ku palët janë parimisht dakord që ndeshja të luhet në Zvicër dhe të dy ekipet do të grumbullojnë lojtarët më të mirë që kanë në dispozicion, jo përfaqësueset B.
Në radhët e Kamerunit luajnë shumë lojtarë të njohur në arenën ndërkombëtare, duke filluar nga Eto’o, Kameni, Matip, N’Kulu dhe Song, ndërsa trajner i ekipit është Zhan Pol Akono, ish futbollisti i kësaj përfaqësueseje. Kamerunasit nuk arritën të kualifikohen në Kupën e Kombeve të Afrikës që luhet në janarin e vitit 2013, ndërsa tani po mendojnë që të përgatiten sa më seriozisht për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin 2014. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 14:10