Sebastian Vetel mendon se ai dhe Fernando Alonso e meritojnë në mënyrë të barabartë titullin kampion në këtë sezon të Formula 1, pasi kanë patur të dy një rrugëtim të ngjashëm ku sukseset janë kombinuar me aksidente dhe paraqitje zhgënjyese të makinës.
Alonso ishte favorit për të fituar titullin, pasi në pjesën e parë të sezonit fitonte pikë pa ndërprerje, ndonëse makina e tij nuk ishte në nivelin më të lartë. Por katër fitore radhazi të Vetel bënë që gjermani të përmbyste një avantazh prej 42 pikësh të spanjollit dhe është ai tashmë në kryesimin e kampionatit me 10 pikë avantazh.
“Nëse sheh garat që kemi zhvilluar deri tani, fatkeqësitë në garë, apo ato që nuk kemi përfunduar, janë të barabartë. Akoma mendoj se kampion do të shpallet piloti që e meriton më shumë. Pa dyshim që unë jam në një pozicion mjaft të mirë dhe do të bëj maksimumin deri në fund që të sigurohem që do të marr fitoren”.
“Sigurisht që garat e fundit na kanë ndihmuar shumë. Po të shohësh 20 garat e sezonit, kemi patur shumë probleme teknike që na kanë penalizuar, por shpresojmë që t’i kemi lënë pas krahëve ato. Është shumë e vështirë që të vazhdosh kaq shumë gara pa aksidente, por gjithsesi duhet të jesh i përgatitur kur këto gjera ndodhin, që t’i kalosh dhe të reagosh”, tha piloti 25 vjeçar i cili në garën e të dielës në SHBA do të regjistrojë nisjen e 100-të në karrierë në Formula 1. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 November 2012 18:34