Sebastian Vetel është vetëm 56 xhiro larg shkrimit të emrit të tij në librat e historisë së garave të Formula 1, me synimin për t’u bërë fituesi më i ri i tre titujve kampion. Gjermani vazhdoi dominimin e tij absolut duke marrë pole-position në Çmimin e Madh të SHBA në Teksas, ndërsa vendosi kohët më të shpejta në çdo sesion provash të kësaj fundjave.
Për 25 vjeçarin, në garën e tij të 100-të në Formula 1, ky është pole-position i 6-të i sezonit, ndërsa është i 36-ti në një karrierë të shkëlqyer që nesër mund të hapë një faqe të re të suksesshme. Gjermani kryeson renditjen me 10 pikë diferencë ndaj Fernando Alonsos, me shansin më të mirë për të mbyllur luftën për titullin kampion pasi spanjolli në këtë garë do të niset vetëm nga vendi i 8-të.
Alonso duhet të mbarojë garën me më pak se 15 pikë diferencë nga Vetel për të luajtur të gjitha shanset e tij në garën e fundit të sezonit, ndonëse duket qartë se Ferrari i tij nuk është në nivelin e makinave Red Bull të cilat në pjesën e dytë të sezonit kanë qenë të pakapshme.
Por edhe Vetel nuk ka një punë shumë të lehtë, pasi përkrah tij, në vijën e parë, niset Luis Hemilton, një kundërshtar i vështirë që do të provojë në të gjitha mënyrat jo vetëm të duelojë me të, por edhe të synojë fitoren e kësaj gare ku shumë gjëra do të varen nga konsumi i gomave për shkak të papastërtive që krijohen në pistë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 21:59