Luis Hemilton me MekLaren ka fituar Çmimin e Madh të SHBA të Formula 1në pistën e Teksasit, duke mundur pas një dueli entuziazmues Sebastian Vetel me Red Bull. Britaniku ka marrë suksesin por edhe gjermani është kënaqur me vendin e dytë, pasi ka lënë pas krahëve Fernando Alonson, duke çuar në 13 pikë diferencën mes të dyve para garës së fundit të sezonit në Formula 1.
Vetel është nisur i pari dhe ka mbrojtur mirë pozicionin e tij, ndërsa Alonso ka kapërcyer tre kundërshtarë që në kthesën e parë duke u ngjitur në vendin e katërt. Spanjollit i vjen ndihma pikërisht nga skuadra Red Bull, pasi Ueber tërhiqet në xhiron e 18-të dhe i lëshon vendin e tretë pilotit të Ferrarit, që gjithsesi sheh nga larg duelin për kreun mes Vetel dhe Hemilton pa u bërë asnjëherë protagonist.
Pas tentativave të njëpasnjëshme për shumë xhiro me radhë, më në fund Hemilton kalon Vetel në xhiron e 42-të duke shfrytëzuar sistemin DRS, me pilotin gjerman që më pas u ankua për manovrën e britanikut në ato momente. Që nga ai çast, pilotët në pistë mendojnë vetëm të mbrojnë pozicionet dhe gara mbyllet me suksesin e Hemilton para Vetel, me Alonson në vendin e tretë.
Vendi i katërt i shkoi brazilianit Felipe Masa me Ferrari pas një gare të jashtëzakonshme gjatë të cilës ai u duk shpesh se ishte i shpejtë po aq sa kryesuesit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Xhenson Baton me MekLarenin tjetër, që mori vendin e 5-të falë një strategjie perfekte, ku filloi garën me gomat e forta. Sipas radhës, në zonën e pikëve përfunduan edhe Kimi Raikonen (Lotus), Romen Groszhan (Lotus), Niko Hulkenberg (Force India), Pastor Maldonado (Uilliams) dhe Bruno Sena (Uilliams).
Tani të gjithë presin me padurim garën e fundjavës së ardhshme në Brazil, ku lufta do të jetë vetëm për titullin kampion të pilotëve, pasi me pikët e marra sot, skuadra Red Bull siguroi kampionatit e tretë radhazi për konstruktorë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 November 2012 22:02