Milani ka prekur përsëri fundin pasi është mundur në shtëpi nga Fiorentina me rezultatin 3-1. Skuadra e Montelës në të vërtetë e ka merituar plotësisht këtë fitore, pasi ka arritur të dominojë ndaj kuqezinjve që nuk janë shfaqur thuajse asnjëherë në gjendje të konkurrojnë për një fitore në këtë sfidë.
Gjithçka ka nisur me golin e Akuilanit që i shënon skuadrës e cila nuk vendosi ta mbante në fundin e edicionit të kaluar, por që tashmë duket qartësisht se ka gabuar me zgjedhjen e bërë. Kuqezinjtë kanë mundësinë të barazojnë, por Pato humb në mënyrë të pabesueshme një 11-metërsh që e kishte fituar po vetë. Në fundin e pjesës së parë, Borja Valerio kapërcen pa problem Montolivo e Mekses, duke shënuar golin e dytë për Fiorentinën që shkon e qetë në pushimin e ndeshjes.
Aktivizimi i Bojan dhe Pacini në pjesën e dytë ngjall disi Milanin dhe është pikërisht ish-sulmuesi i Fiorentinës që shkurton diferencën në minutën e 60-të. Por Milani nuk arrin të bëjë një tjetër hap para dhe miqtë i ndëshkojnë përsëri në kundërsulm me anë të El Hamdaoui, duke vulosur suksesin 3-1 dhe duke u shfaqur qartësisht pretendentë për një pozicion që të çon në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Ndeshja derbi mes Lacios dhe Romës është përfshirë nga dhuna dhe polemikat. Gjithçka ka filluar para ndeshjes, me përplasjen e dy tifozerive nga e cila kanë mbetur të plagosur dhjetëra tifozë, mes të cilëve dy në gjendje të rëndë. Ndërsa në fushën e lojës, Lacio ka arritur të përmbysë avantazhin fillestar të Romës, duke fituar 3-2 në derbi. Te verdhekuqtë, që regjistruan humbjen e 5-të në kampionat, tensioni është mëse i dukshëm, pasi De Rosi u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë pasi goditi Maurin me grusht, ndërsa Pjaniç, në momentin e golit, u kthye nga pankina e tij duke polemizuar me trajnerin Zeman. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 11 / Rezultatet
Palermo-Sampdoria 2-0
52’, 71’ Dybala
Kievo-Udineze 2-2
39’ Andreolli, 89’ (p) Paloski / 42’, 90’+1’ Anxhela
Xhenoa-Napoli 2-4
23’ Imobile, 56’ Bertolaçi / 54’ Mesto, 79’ Kavani, 90’ Hamshik, 90’+4’ Insinje
Lacio-Roma 3-2
35’ Kandreva, 43’ Klose, 47’ Mauri / 9’ Lamela, 86’ Pjaniç
Milan-Fiorentina 1-3
60’ Pacini / 10’ Akuilani, 38’ Borja Valerio, 87’ El Hamdaoui
Parma-Siena 0-0
Torino-Bolonja 1-0
66’ D’Ambrosio
Atalanta-Inter 3-2
9’ Bonaventura, 60’, 67’ (p) Denis / 56’ Guarin, 84’ Palacio
Sunday, 11 November 2012 17:49