Fitorja ndaj Juventusit, të pamposhtur prej 49 ndeshjesh, i ka krijuar mundësinë Andrea Stramaçionit që më në fund t’i mbyllë gojën të gjithë kritikëve, duke filluar pikërisht prej atyre që kishin ardhur nga bardhezinjtë.
“Është e bezdisshme të dëgjosh disa drejtues të Juventusit të bëjnë komente ironike mbi “mendjelehtësinë taktike” të Interit. Kam dëgjuar me veshët e mi që ironizonte mbi përdorimin e tre sulmuesve, por ata janë të ndërtuar në këtë mënyrë”, tha ai duke iu referuar frazës të thënë nga drejtori sportiv i juventinëve, Bepe Marota para fillimit të takimit.
“Duhet treguar respekt. Kemi punuar shumë dhe kemi fituar në fushën e skuadrës më të fortë. Jam kurioz të dëgjoj se çfarë ka për të thënë Marota tani”, ishte sulmi direkt i Stramaçionit pas përfundimit të takimit. “Tre sulmuesit ishin një zgjedhje për të përballuar skuadrën më të fortë. Puna që kanë bërë Milito dhe Palacio për të mbuluar Pirlon ka qenë fantastike, asnjë mesfushor nuk do të kishte qenë aq efikas. A është kjo dita më e bukur e karrierës time si trajner? Jo, dita më e bukur është kur më dhanë drejtimin e Interit”, ishte komenti i Stramaçionit.
Ky sukses ka entuziazmuar edhe presidentin Morati, që tashmë pranon se ka filluar të mendojë seriozisht se skuadra e tij ka në stol Murinjon e ri dhe ka të gjitha mundësitë të luftojë për titullin kampion.
“Pas 17 sekondave lojë, fillimisht u shqetësova pasi bëmë një nisje të keqe, ndërsa kur pashë përsëritjen fillova të mendoja për historitë e zakonshme”, tha ai duke iu referuar golit të Vidal, të nisur nga një pozicion jashtë loje i Asamoah. “Stramaçioni tani nuk ka më nevojë për krahasime me Murinjon, është i aftë dhe pikë. Tani jam i lumtur, pasi nga një sezon që dukej si tranzicion, tani gjërat bëhen më interesante”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 November 2012 11:30