Adriano Galiani ka konfirmuar se më në fund presidenti Berluskoni është kënaqur me paraqitjen e Milanit që fitoi 5-1 ndaj Kievos në një ndeshje të dominuar plotësisht.
“A u kthye Milani? Mendoj se po, sapo fola me presidentin dhe thamë të njëjtën gjë: “Dukeshim si Milani!”. Atij i pëlqeu shumë se si luajti Bojan, por më tha që t’i bëja komplimente edhe trajnerit”, tha Galiani pas përfundimit të ndeshjes.
“Tani jemi të qetë pasi 7 pikë në tre ndeshjet e fundit na kanë bërë që të bëjmë hapa para edhe në renditje. Kemi një organikë skuadre që nuk ka mundësi të mos mbërrijë pranë vendeve të para, kjo është bindja ime absolute që në ditën e parë të sezonit të ri. Bojan ka bërë një superndeshje, ndërsa El Sharaui nuk është më një premtim i futbollit, por një kampion i vogël iu afirmuar”, tha administratori i kuqezinjve për sulmuesin që ka shënuar 8 gola në kampionat dhe kryeson renditjen e golashënuesve para emrave si Milito, Kavani, Di Natale e Klose.
Më pas, ai ka zbuluar se tashmë kuqezinjtë mund të blejnë përfundimisht Bojan nga Barcelona, pasi ai ka gjetur një akord paraprak me klubin katalanas me parametra financiarë më të mirë se ato që iu ofruan Romës një vit më parë.
“Kam arritur të siguroj nga Barcelona një opsion për të blerë Bojan, me parametra financiarë më të ulët se ato që iu ofruan Romës”, tregoi ai për lojtarin që luajti ndeshjen e tij të katërt si titullar në radhët e kuqezinjve, të cilëve iu bashkua në huazim në fillimin e muajit gusht. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 November 2012 09:22