Juventusi ka arritur të fitojë me shumë mund 2-1 përballë Bolonjas në ndeshjen e javës së 10-të të Serisë A për të ruajtur pathyeshmërinë në kampionat, por edhe për të ruajtur diferencën prej Interit që e ndjek në renditje, para sfidës direkte të fundjavës. Zikaltërit janë tashmë forca e dytë e kampionatit, një pozicion që e mbajnë të vetëm falë gabimeve të Napolit e Lacios.
Bardhezinjtë e Juventus dominuan pjesën e parë, pro nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara para portës së Bolonjës. Kur Kualjarela kaloi skuadrën në avantazh në minutën e 54-t të ndeshjes, u mendua se kampionët në fuqi të Italisë kishin siguruar fitoren. Por skuadra e Kontes nuk arrin të administrojë këtë kryesim dhe si rrjedhojë, vjen edhe barazimi i Taider në minutën e 71-të, duke komplikuar planet e kryesuesve të kampionatit. Fatmirësisht për Juventus, Pol Pogba bëhet përsëri protagonist duke zgjidhur ndeshjen me një gol në minutën e 92-të, duke vërtetuar se është një nga blerjet më të goditura të merkatos së klubit në këtë sezon.
Tani Juventus mund të fillojë të mendojë për ndeshjen me Interin në fundjavë, që merr një rëndësi më të madhe duke parë se zikaltërit janë konfirmuar sot si forca e dytë e kampionatit, ajo që tashmë në Itali quhet “anti-Juventusi”. Skuadra e Stramaçionit ka fituar 3-2 përballë Sampdorias, në një ndeshje ku zikaltërit kanë vuajtur, si shpesh në këtë sezon, por kanë arritur të marrin 3 pikë të rëndësishme. Milanezët kanë përfituar nga rezultatet e rivalëve direkt për të zaptuar të vetëm vendin e dytë, por shihet qartë që “oreksi” i tyre është rritur dhe tani kërkojnë që të kapin sa më parë kreun e renditjes ku gjendet Juventusi. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 10 / Rezultatet
Atalanta-Napoli 1-0
19’ Karmona
Kaljari-Siena 4-2
6’, 26’ Nene, 28’ Sau, 89’ Tiago Ribeiro / 42’ Bogdani, 90’+3’ Kalaio
Kievo-Peskara 2-0
75’ (p) Luçiano, 77’ Stoian
Inter-Sampdoria 3-2
52’ (p) Milito, 69’ Palacio, 81’ Guarin / 20’ Munari, 90’+4’ Eder
Juventus-Bolonja 2-1
54’ Kualjarela, 90’+2’ Pogba / 71’ Taider
Lacio-Torino 1-1
57’ Mauri / 10’ Glik
Parma-Roma 3-2
35’ Belfodil, 37’ Parolo, 65’ Zakardo / 8’ Lamela, 71’ Toti
Udineze-Katania 2-2
29’ (p), 90’+3’ Di Natale / 62’ Kastro, 86’ Lodi
Wednesday, 31 October 2012 23:06