Juventusi vazhdon i pamposhtur në kreun e Serisë A edhe pas takimeve të javës së 9-të, por këtë radhë suksesi i bardhezinjve 1-0 në fushën e Katanias është shoqëruar me polemika. Shkak është bërë një gol i anuluar ndaj ekipit vendas kur rezultati ishte 0-0, me drejtuesit e skuadrës së Katanias që pretendojnë se vijërojtësi u ndikua nga protestat e stolit të Juventusit pas shënimit të këtij goli.
Gjithçka ka ndodhur në pjesën e parë të takimit, kur rezultati ishte 0-0 dhe Bergesio arriti të çonte topin në rrjetë pas një aksioni të ekipit vendas. Por vijërojtësi mori vendimin e gabuar duke anuluar golin për pozicion jashtë loje, pas protestave “energjike” të Pepe që u çua nga pankina e Juventus dhe shkoi pranë tij.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe goli i fitores i Juventusit, i shënuar nga Vidal në minutën e 57-të, erdhi pas një pozicioni të dyshimtë të Bendtner gjatë këtij aksioni.
Një fitore më të lehtë ka arritur Inter, që përvijohet gjithnjë e më shumë si anti-Juventusi në këtë sezon. Zikaltërit kanë fituar 3-1 në fushën e Bolonjës falë golave të Ranokia, Milito e Kambiaso, duke konfirmuar vendin e tretë në renditjen e kampionatit. Ndërsa Lacio ka rrëshqitur përsëri, duke u mundur këtë radhë nga Fiorentina, e cila nën drejtimin e Montelës është kthyer në një skuadër që do të luftojë për renditjen në zonën e Kupave të Evropës në këtë sezon.
Për t’u shënuar është edhe goli i realizuar nga mesfushori kosovar Migjen Basha në takimin mes Torinos dhe Parmës, por që fatkeqësisht ka përfunduar me rezultatin 3-1 për ekipin mik. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 9 / Rezultatet
Katania-Juventus 0-1
57’ Vidal
Bolonja-Inter 1-3
58’ Kerubin / 27’ Ranokia, 53’ Milito, 64’ Kambiaso
Fiorentina-Lacio 2-0
45’ Ljajiç, 90’ Toni
Peskara-Atalanata 0-0
Sampdoria-Kaljari 0-1
47’ Desena
Torino-Parma 1-3
90’ Basha / 72’ Sansone, 73’ Amauri, 88’ Rosi
Napoli-Kievo 1-0
58’ Hamshik
Roma-Udineze 2-3
22’, 24’ Lamela / 32’ Domici, 50’, 88’ (p) Di Natale
Sunday, 28 October 2012 18:36