Presidenti i Atletiko Madrid, Enrike Cerezo, ka pranuar se klubi është i pafuqishëm për të ndaluar largimin e Radamel Falkao nëse një skuadër tjetër paguan klauzolën e largimit të tij që është 60 milion euro.
Sipas mediave të ndryshme, gjatë javës së fundit, menaxheri i lojtarit, Horge Mendez, ka patur takime me drejtuesit e tre skuadrave të ndryshme: Mançester Siti, Çelsi dhe Real Madrid, për të diskutuar të ardhmen e sulmuesit kolumbian i cili mund të ndryshojë ekip që në janar.
“Nëse ata sjellin paratë e klauzolës së largimit dhe lojtari është dakord, ai nuk është i detyruar as të na thotë mirupafshim”, pranoi Cerezo rreth asaj që parashikon kontrata e futbollistit për kushtet e një largimi të mundshëm.
“Situata është e tillë, por mendoj se Falkao është një njeri i përgjegjshëm, një person që kupton se çfarë është një kontratë, cila është situata e tij dhe çfarë është ai te skuadra ku dëshiron të luajë”.
Sipas Cerezo, Falkao do të qëndrojë me ekipin madrilen të paktën deri në fundin e këtij sezoni, pasi ai është i lumtur me ekipin aktual, ndërsa konfirmoi se në janar nuk po mendonte të sillte përforcime në ekip.
“Falkao është shumë i lumtur këtu dhe për sa kohë që të jetë kështu, do të mbetet një lojtar i Atletiko Madrid. Nuk mendoj se do të marrim lojtarë të tjerë në janar, pasi kemi një skuadër të vogël, por shumë të kompletuar”, tha ai për ekipin drejtuar nga Diego Simeone që aktualisht ndan vendin e parë në renditjen e kampionatit spanjoll përkrah Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 09:20