Radio “Catalunya” ka bërë të ditur se Barcelona ka filmuar mbrojtësin e Real Madrid, Pepe, në katër ndeshje të “El Clasico” duke bërë një koleksion të gjatë me ndërhyrjet e tij të parregullta.
Sipas të njëjtit burim, këto pamje filmike i referohen periudhës prej dy javësh të një viti më parë, kur dy klubet u ndeshën 4 herë me njëri-tjetrin. Qëllimi i këtij filmi “tematik” ishte të provonte sjelljet antisportive të portugezit dhe ndërhyrjet e tij të qëllimshme kundër lojtarëve të Barcelonës, sidomos Lionel Mesit.
Videoja në fjalë është përmendur pa dashje edhe nga trajneri aktual i katalanasve, Tito Vilanova, i cili pas takimit kundër Real Madrid të dy javëve më parë iu përgjigj aludimit të Pepe se lojtarët katalanas ishin teatralë me rrëzimet e tyre. “Pepes mund t’i tregojmë një video me të gjithë shkelmat që jep”, ishte komenti i Vilanovas për këtë video.
Por Barcelona ka vendosur të mos e publikojë videon në të cilën shfaqet lojtari portugez duke bërë ndërhyrje të parregullta gjatë aksioneve të ndryshme, por edhe duke dhënë goditje të palejuara ndaj kundërshtarëve kur aksioni ishte në pjesën tjetër të fushës, në lojën pa top. Vendimi për të mos e publikuar atë është marrë pasi “urdhëruesi” i saj, Pep Guardiola, kishte bërë të qartë se e dëshironte një përmbledhje të tillë vetëm për të kuptuar saktësisht se si mund t’i shmangeshin lojtarët e tij një mbrojtësi të tillë dhe jo për të krijuar polemika të reja mes dy skuadrave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 08:01