Milani ka gjetur justifikimin për humbjen në derbi, pasi trajneri Alegri ka fajësuar gjyqtarin Valeri se ka ndikuar në rezultatin e kësaj sfide. Sipas tij, gjykimi ka qenë i njëanshëm në favor të Interit, duke theksuar se ka bërë edhe gabime teknike.
“Sot gjyqtari ka kushtëzuar ndeshjen. Ka bërë një gabim teknik duke vërshëllyer fundin e pjesës së parë 12 sekonda para kohe, gjë që i evitoi mbrojtësit Huan largimin me karton të kuq për faull si lojtar i fundit ndaj Emanuelson. Goli i Montolivos ishte i rregullt dhe kishte një penallti për ndërhyrje kundër Robinjos. Në rastin e Nagatomos ai u desh të zbatonte rregulloren. Nuk dua të gjej alibi për humbjen, por gjyqtari mund të ketë qenë shumë pa fat në vlerësimin e episodeve të kësaj ndeshje”, deklaroi Alegri pas përfundimit të takimit.
Por trajneri i Milanit duket se vazhdon të jetë optimist për situatën e skuadrës së tij dhe çuditërisht deklaron se titulli kampion është ende i mundur për kuqezinjtë. “Nuk ka përfunduar asgjë ende. Detyrohemi të jemi në ndjekje por skuadra mund të rikuperojë këtë distancë duke luajtur me intensitetin që u pa edhe sot”, tha ai.
Ndërkohë, trajneri i Interit, Stramaçioni, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kolegut të tij për gjykim të njëanshëm nga kryesori Valeri në këtë sfidë.
“Milani i penalizuar? E vetmja skuadër objektivisht e penalizuar ishte Interi, që ka luajtur për 47 minuta në inferioritet numerik”, ishte komenti i tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 October 2012 10:50