Juventusi ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 përballë Sienës në ndeshjen e javës së 7-të të Serisë A dhe vazhdon marshin në kreun e renditjes, pasi ka regjistruar 6 fitore e vetëm një barazim në këto ndeshje të para, duke kryesuar me meritë.
Skuadra drejtuar nga Antonio Konte ka arritur të kalojë e para në avantazh me Pirlon, falë një goditje dënimi të mesfushorit që ka gjetur më pas edhe traversën pas një tjetër goditje standarde. Por nëse juventinët po mendonin për një fitore të qetë në transfertë, goli i Kalaio në minutën e fundit të pjesës së parë ka prishur planet e tyre.
Për më tepër, vendasit i kanë vënë disa herë në vështirësi kampionët në pjesën e dytë, duke i shkuar shumë afër një fitoreje të bujshme. Megjithatë, ka qenë Markizio me një gjuajtje fluturimthi që ka zgjidhur ndeshjen, duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikët dhe duke e mbajtur në vendin e parë.
Një fitore shumë të rëndësishme 3-0 ka arritur edhe Lacio në transfertën përballë Peskarës, duke bërë hapa të rëndësishëm para në renditje. Hernanes dhe një dygolësh i Klose kanë vulosur këtë takim, ku ekipi i Petkoviç ka treguar një lojë mjaft argëtuese dhe se ka një rritje të dukshme në krahasim me sezonin e kaluar. (LajmeShqip.com)
Serie A
Java 7 / Rezultatet
Roma-Atalanta 2-0
30’ Lamela, 62’ Bredli
Katania-Parma 2-0
2’ Gomez. 80’ Bergesio
Fiorentina-Bolonja 1-0
7’ Jovetiç
Peskara-Lacio 0-3
5’ Hernanes, 25’, 36’ Klose
Siena-Juventus 1-2
45’ Kalaio / 14’ Pirlo, 85’ Markizio
Torino-Kaljari 0-1
74’ (p) Nene
Renditja: Juventus 19 pikë, Napoli 16, Lacio 15, Inter 12, Roma 11, Katania 11, Fiorentina 11, Sampdoria 10, Xhenoa 9, Torino 8, Milan 7, Bolonja 7, Peskara 7, Parma 6, Kievo 6, Udineze 6, Atalanta 5, Palermo 5, Kaljari 5, Siena 2.
Sunday, 07 October 2012 16:49