Xhampaolo Pacini ka ditur si të hyjë menjëherë në zemrën e tifozëve të Milanit, duke i bërë të harrojnë se deri pak javë më parë ka veshur fanellën e urryer të Interit. Sulmuesi i përfaqësueses italiane ka shënuar 3 gola në ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi, duke treguar se është në formë të shkëlqyer dhe se nuk ka humbur nuhatjen para porte, ndonëse që në fundin e sezonit të kaluar nuk ishte aktivizuar me rregullsi.
Në fillimin e ndeshjes ai ka fituar një penallti që më pas e ka transformuar saktësisht vetë, ndërsa rezultati është barazuar po me penallti nga Diamanti në minutën e 42-të të kësaj ndeshje.
Por kur kishin mbetur 13 minuta nga fundi, një gafë e portierit Aliardi i mundëson Pacinit të gjejë rrugën e rrjetës për herën e dytë, ndërsa vetëm 8 minuta më vonë sulmuesi shënon përsëri, këtë radhë me thembër pas devijimit të gjuajtjes së Noçerinos, për të vulosur rezultatin 3-1 në favor të Milanit.
Në takimin tjetër të pasdites të së shtunës, Torino ka mundur me rezultatin 3-0 skuadrën e Peskaras, duke konfirmuar se në këtë sezon ka pretendime serioze për të qenë mes skuadrave që luftojnë për Kupat e Evropës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 September 2012 22:07