Silvestre Varela është emri që të gjithë portugezët do të falënderojnë sot pasi një gol i tij në minutën e 87-të të ndeshjes u ka dhënë fitoren 3-2 në një sfidë shumë të luftuar kundër Danimarkës. Ndërsa Portugalia po shkonte drejt eliminimit, goli i sulmuesit të Portos ka rihapur Grupin B, duke shlyer njëkohësisht edhe gabimet e njëpasnjëshme të Kristiano Ronaldos, një “fantazmë” zhgënjyese gjatë Euro 2012.
Ndeshja ka filluar nën ritmin portugez, pasi ata kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës në pjesën e parë, me Pepe në minutën e 24-t pas një goditje këndi dhe me Helder Postigën që gjendet në zonë saktësisht nga Nani në minutën e 36-të.
Por Danimarka ngjallet dhe fillon të shohë nga sulmi, duke arritur të shkurtojë diferencën në minutën e 41-të me Bendtner, i cili shfrytëzon një përgjumje të mbrojtjes kundërshtare për të dërguar topin me kokë në portë. Me kalimin e minutave, është Danimarka që merr kontrollin e lojës, ndërsa Portugalia i beson vetëm kundërsulmit.
Nëse Kristiano Ronaldo humb raste të pabesueshme nga njëra anë e fushës, Bendtner nuk fal nga ana tjetër, duke shënuar përsëri me kokë në minutën e 80-të dhe duke çuar Portugalinë drejt eliminimit.
Por Varela, i aktivizuar në minutën e 84-t, ka bërë vetëm 3 minuta më vonë atë që kolegët e tij më të famshëm nuk arritën të bënin për shumë minuta me radhë, të mposhtë Andersen me një gjuajtje me të djathtën që shpëton Portugalinë dhe e kthen në garë për kualifikimin e mëtejshëm.
Falë këtij rezultati, Grupi B mbetet i hapur për të gjitha skuadrat, cilido qoftë përfundimi i sfidës mes Gjermanisë dhe Holandës. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Holandë-Danimarkë 0-1
24’ Krohn Dehli
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Danimarkë-Portugali 2-3
41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela
Renditja
Gjermani 3 1-0
Danimarkë 3 3-3
Portugali 3 3-3
Holandë 0 0-1
13.06.2012
Holandë-Gjermani 20:45
Gjyqtar: Jonas Erikson (Suedi)
Kharkiv (Ukrainë)
17.06.2012
Portugali-Holandë 20:45
Kharkiv (Ukrainë)
Danimarkë-Gjermani 20:45
Lviv (Ukrainë)
Wednesday, 13 June 2012 19:30