Spektakli vazhdon! Ky është premtimi i promotorit të njohur Frenk Uorren, por ndeshja e shumëpërfolur e boksit mes Devid Hej dhe Derek Çisora, e planifikuar me 14 korrik, rrezikon të kthehet në një eveniment të palicensuar e si rrjedhojë të paligjshëm.
Gjatë fundjavës, Unioni i Boksit Evropian (EBU), ka vendosur të pezullojë Federatën e Luksemburgut që ka dhënë licencat për këtë ndeshje, e cila kundërshtohet ashpër nga Bordi Britanik i Boksit. Për më tepër, Federata e Luksemburgut është paralajmëruar se nëse nuk tërhiqet nga licencimi i kësaj ndeshje të shumëpërfolur, ata do të përjashtohen në momentin që bie gongu i parë për fillimin e ndeshjes.
Në një situatë të tillë, ndeshja do të cilësohej e paligjshme dhe jo profesioniste. Meqë ajo është planifikuar të zhvillohet në territorin britanik, të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të detyruar të shfaqen para Bordit Britanik të Boksit, i cili ka ndër mend t’i përjashtojë përgjithmonë nëse dy boksierët provojnë e shkëmbejnë qoftë edhe një grusht njëri me tjetrin.
Uorren ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku dënon këtë vendim të marrë nga EBU dhe sulmin që po i bëhet atij nga drejtuesit e boksit britanik. Ai ka bërë të ditur se deri tani janë shitur 28 mijë bileta nga 42 mijë të planifikuara për ndeshjen e 14 korrikut dhe në rast anulimi të ndeshjes, do të jetë Bordi Britanik i Boksit ai që do të detyrohet të dëmshpërblejë tifozët. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 16:45