Vladimir Kliçko, kampioni i botës për peshat e rënda në WBA, IBF, WBO dhe IBO, është shfaqur hapur kundër organizmit të ndeshjes mes Devid Hej dhe Derek Çisora, të planifikuar me 14 korrik të këtij viti.
Pas prezantimit që iu bë kësaj ndeshje në stadiumin “Apton Park”, me të dy boksierët që ndaheshin nga një gardh metalik dhe masa të rrepta sigurie për të shmangur kontaktin, kanë ardhur reagime të ndryshme nga bota e boksit.
Vladimir Kliçko nuk ngurroi ta quante këtë një “shfaqje monstruoze” pasi një personazh si Çisora nuk duhej të lejohej më të boksonte.
“Kjo është një shfaqje monstruoze sipas rregullave monstruoze, një pështymë në fytyrë për Bordin Britanik të Boksit. Është fatkeqësi që Çisora merr një tjetër licencë për të boksuar. Si mund të organizosh një aktivitet të tillë me një njeri që i ka treguar botës sjelljen e tij, sidomos duke patur parasysh atë që ndodhi në konferencën për shtyp?”, ishin fjalët e kampionit të botës.
Por duket se vëllai tij i madh, Vitali Kliçko, nuk e mendon në të njëjtën mënyrë, pasi dëshiron të përballet me Devid Hej sa më parë që të jetë e mundur. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i Hej, Adam Both.
“Që tani më kanë dërguar një projekt kontrate për një ndeshje mes tij dhe Vitali, por do të shohim si rrjedhin gjërat”, tha ai, mendim që është ndarë edhe nga Hej.
“Fillimisht më duhet të hedh në tapet këtë idiotin Çisora dhe pastaj do të vendos se çfarë do të bëj”, tha ai gjatë prezantimit zyrtar të ndeshjes, ndërsa dy boksierët nuk kursyen fyerjet ndaj njëri-tjetrit para kamerave. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 10:50