Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur të vazhdojë izolimin e sportit kosovar pasi i ka ndaluar xhudistes Majlinda Kelmendi të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Lojërat Olimpike Londër 2012.
Në vendimin e marrë sot nga Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni, atletja që ka plotësuar normën e pjesëmarrjes në garat që zhvillohen këtë verë, nuk lejohet as të marrë pjesë si atlete e pavarur dhe e vetmja mënyrë që i mbetet për të garuar në Londër 2012 është si përfaqësuese e Shqipërisë.
Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Ministra e Sportit në Kosovë, nëpërmjet një deklarate për shtyp të Ministrit Memli Krasniqi, i cili ka dënuar ashpër këtë vendim absurd.
“Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar sot në esencë bëri një shkelje të te drejtave të njeriut, duke mos e lejuar xhudisten tonë Majlinda Kelmendi që të përfaqësojë shtetin e vet në Lojërat Olimpike Londër 2012. Madje asaj nuk iu lejua as paraqitja si sportiste e pavarur, që ka qenë një dëshirë e dytë dhe kërkesë zyrtare e saj, nëse përfaqësimi si shtet nuk do të ishte i mundshëm. KON-i vendosi që forma e vetme e paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Londër 2012 të jetë si sportiste nga Shqipëria”.
“Me këtë akt, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po ua humb edhe më shumë shpresat dhjetëra mijëra sportistëve, talenteve nga Kosova se ëndrra e tyre për të qenë të suksesshëm, të barabartë me sportistë tjerë, duke përfaqësuar shtetin e vet një ditë do të realizohen”.
“Vendimi i KON-it është po ashtu një thyerje e parimeve olimpike dhe mbi të gjitha një konfirmim i padrejtësisë shumëvjeçare që po i bëhet Kosovës në sport. Është shumë dëshpëruese se si vlerat sportive, respekti dhe pasioni për gara, vazhdojnë të ndikohen nga politika në rastin e Kosovës. Është një mesazh i keq që i jepet rreth dy milionë qytetarëve, gjithë atyre të rinjve dhe prindërve”, ishte belarat që bëri ministri Krasniqi pas vendimit të marrë nga KON. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 21:07