Vendimi i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të mos lejuar pjesëmarrjen e xhudistes Majlinda Kelmendi si atlete përfaqësuese e Kosovës në Lojërat Olimpike Londër 2012, ka sjellë reagime mjaft të ashpra nga shteti i Kosovës.
Por presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe, ka shpjeguar pse është marrë ky vendim për xhudisten kosovare që kërkonte të garonte për Kosovën ose për flamurin e KON.
“Ajo u kualifikua duke marrë pjesë në gara për Shqipërinë. Ajo ka marrë bursat olimpike nga Shqipëria. Ajo ka një pasaportë shqiptare ndaj Shqipëria është i vetmi shtet që mund të përfaqësojë në Lojërat Olimpike Londër 2012”, ishte komenti i Rozhe rreth kësaj çështje.
Vendimi i KON për Majlinda Kelmendin është trajtuar edhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa një shkrim rreth kësaj çështje ka përfunduar edhe në faqen e gazetës së njohur amerikane “Washington Post”. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 13:50