Rrjeti televiziv “Euronews” ka publikuar dje një reportazh rreth sportit kosovar dhe ëndrrës së sportistëve të këtij vendi për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012. Reportazhi është bazuar te kërkesa që Parlamenti Evropian i ka bërë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të lejojë atletët kosovarë të marrin pjesë në aktivitetin që zhvillohet gjatë verës.
Emri i parë i përmendur në këtë reportazh është ai i xhudistes së njohur Majlinda Kelmendi, e cila është ndër atletet më të njohura në botë për këtë sport, falë medaljeve të panumërta që ka fituar në arenën ndërkombëtare.
“E di që kur unë ndjehem mirë, jam në gjendje të mund çdo konkurrent në kategorinë time”, ka treguar vetë Kelmendi në këtë reportazh. Meqë ajo është e vetmja atlete kosovare që plotëson normën olimpike duke qenë mes 5 më të mirave në botë, kuptohet që dëshiron të marrë pjesë dhe të synojë medalje në Londër 2012.
Mundësitë e saj për momentin janë dy, të konkurrojë nën flamurin ndërkombëtar të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar si atlete e pavarur, ose të garojë me flamurin e Shqipërisë, pasi ka edhe pasaportën shqiptare.
“Kam patur shumë oferta, mes të cilëve një shumë të mirë nga Azerbajxhani. Do të kishin qenë shumë para. Por unë vendosa të qëndroj në Kosovë, të përfaqësoj Kosovën. Ndoshta jam e vetmja atlete që arrin zyrtarisht normën olimpike, që më mundëson të marr pjesë”, ka treguar xhudistja kosovare.
Ajo nuk është e vetmja që mund të kërkoje rezultate në Londër 2012 nëse Kosova merr pjesë. Urata dhe Lumturie Rama janë dy qitëset që plotësojnë normat olimpike por meqë Federata e Qitjes Sportive të Kosovës nuk njihe nga ajo ndërkombëtare, detyrohen që rezultatet e tyre t’i njohin vetëm në sferën kombëtare. Kosova ka bërë tri herë kërkesë për aderim por pa sukses.
“Çdo sportist ëndërron të marrë rezultate të mira dhe të marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Ky është motivimi”, tregon Urata, specialiste në qitjen 10 metra me pushkë me ajër.
“Sipas informatave që kemi ne, duket shumë e pamundur që të jemi në gjendje të shkojmë në Londër 2012. Por ne nuk do të heqim dorë. Ndoshta mund të marrim pjesë në 2016. Ëndrra jonë është të shkojmë dhe të përfaqësojmë Kosovën, vendin tonë”, thotë Lumturie, specialiste e qitjes 10 metra me pistoletë me ajër.
Problemet e tjera në Kosovë janë infrastrukturore dhe ekonomike, por sidomos politike. Vetëm 3 federata njihen në arenën ndërkombëtare, ajo e ping-pong, peshëngritjes dhe e gjuajtjes me hark. Po Kosovës i nevojitet njohja nga të paktën 5 Federata Ndërkombëtare në mënyrë që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Kjo e bën gjithçka më të vështirë, edhe për shkak të situatës politike.
“Është shumë e vështirë të marrësh viza për të udhëtuar në disa vende. Janë disa shtete që i kuptojnë atletët tanë, por janë disa të tjera që na e vështirësojnë jetën kur aplikojmë për viza”, tregon zv/presidenti i Federatës Kosovare të Atletikës, Driton Haliti.
Kosova ka pësuar një eksod të madh sportistësh gjatë viteve të fundit dhe kjo ka vështirësuar më shumë situatën e sportit në këtë vend, pasi ata kanë zgjedhur të përfaqësojnë shtete të tjera.
Fatkeqësisht, dokumentari i “Euronews” ka pranuar se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk duket se do të miratojë pranimin e Kosovës në Lojërat Olimpike. “Kjo ka shumë pak mundësi që të ndodhë në një të ardhme të afërt”, është sinjali që ka ardhur nga zyrat e IOC, ku si duket do të mbahet embargo që pengon ëndrrën olimpike të Kosovës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 March 2012 13:26