Rud Gulit mendon se Roman Abramovic ëndërron që Çelsi të humbë finalen e Ligës së Kampioneve përballë Bajernit.
Ish-trajneri i ekipit londinez mendon se fitorja përballë bavarezëve, për më tepër në fushën e këtyre të fundit, do t’i jepte një grusht të rëndë planit të miliarderit rus për pasardhësin e Roberto Di Mateos, që do të kthehej menjëherë në një legjendë për klubin.
Gulit, trajneri i parë i huaj në historinë e Çelsit, ishte ai që mori në skuadër Di Mateon në vitin 1996. Por tani, holandezi është i bindur se Abramoviç ka bërë zgjedhjen e tij për sezonin ardhshëm dhe aty nuk përfshihet tekniku italian që arriti të çonte klubin deri në finale kundër të gjitha parashikimeve.
“Unë mendoj se ka që tani një pasardhës të qartë për postin e trajnerit. Por a do ta dëshirojë më ai këtë detyrë nëse Çelsi fiton Ligën e Kampioneve? Edhe vetë Zhoze Murinjo, a do të dëshironte të vinte e të zëvendësonte Robin, duke e ditur se nuk mund të bëjë kurrsesi më mirë se paraardhësi i tij?”.
“Nëse Robi fiton Ligën e Kampioneve, ai do t’i shkaktojë shumë probleme atij që do të vijë pas tij, ndaj pronari mund të shpresojë që në këtë rast të mos e fitojë këtë finale”, ishin fjalët e Rud Gulit. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 15:55