Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka sulmuar ashpër pronarin Çelsit, Roman Abramoviç. Ai e etiketoi Abramoviç si pjesëtar të “mafies së naftës” që merr paratë e publikut nga pompat e karburantit për të financuar klubet e futbollit. Ai e cilësoi këtë si një prej arsyeve pse Bajern duhej të mundte Çelsin të shtunën dhe bëri një krahasimin mes mënyrës sesi vetëfinancohen bavarezët, me varësinë që ka klubi anglez ndaj pronarit miliarder.
“Unë zemërohem çdo javë kur shkoj të blej karburant. Mafia e naftës merr para nga xhepi im për t’i investuar në futbollistë. Për mua, kjo situatë mban erë të keqe, ndërsa përfshij edhe Z. Abramoviç në këtë mes. Ne duhet të mundim klube si Çelsi në fushën e lojës. Ata janë një klub me shpinën në mur si rrjedhojë e sezonit të tyre me luhatje. Nëse humbin, nuk janë në këtë turne vitin e ardhshëm”.
“Nëse Bajerni e fiton aktivitetin, përfitojmë rreth 20 milionë paund. Ky është qëllimi: sukses sportiv i bazuar në sensin logjik ekonomik. Z. Abramoviç ka investuar 900 milion paund te Çelsi. Nëse ai vendos të heqë spinën, mund ta blesh këtë klub me çmimin e një gazete fjalëkryqesh”.
“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë te Bajern ta ndjejnë se klubi u përket atyre. Tifozët nuk duhet të kenë ndonjë frikë se ne do ta shesim klubin te ndonjë grup rus apo arab. Kur rregullorja e fair play financiar të hyjë në fuqi, atëherë do të fillojë epoka e artë për klubet gjermane”, ishte parashikimi i Hënes. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 08:02