Sulmuesi i Çelsit, Ddier Drogba, mendon se ka ardhur koha që skuadra e tij të hakmerret për dëshpërimin e përjetuar disa vite më parë në Moskë, duke triumfuar në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih të shtunën.
34 vjeçari nga bregu i fildishtë prite të jetë titullar në këtë ndeshje që mund të jetë e fundit për të në klubin anglez. Ai mendon se kjo sfidë është perfekte për të harruar përfundimisht atë që ndodhi katër vite më parë, kur Çelsi u mund me penallti nga Mançester Junajtid në finalen e këtij turneu.
“Pas Moskës, menduam se vitin pasardhës do të shkonim përsëri në finale. Por kjo është Liga e Kampioneve, është shumë e vështirë të arrish në finale dhe kjo mjafton për të treguar se sa shumë e meritojmë ne të jemi këtu”.
“Nuk është gjë e mirë të flasësh për të kaluarën, pasi e tashmja jonë është shumë e mirë. Unë do të bëj maksimumin që e tashmja të jetë e shkëlqyer për mua dhe për shokët e skuadrës”.
“Kam luajtur shumë ndeshje të mëdha me Çelsin, por kjo do të jetë e veçantë pasi është vetëm hera e dytë që arrij në finalen e Ligës së Kampioneve. Do të bëjmë maksimumin për të marrë një fitore ndaj kësaj skuadre gjermane që luan në fushën e vet”, tha futbollisti i cili në ndeshjen e Moskës nuk mori pjesë në gjuajtjet e penalltive pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq 4 minuta para përfundimit të kohëve shtesë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 15:45