Bordi Britanik i Boksit (BBBC) ka kthyer sytë nga qeveria angleze me shpresën se kjo e fundit do ta ndihmojë që të bllokojë zhvillimin e ndeshjes problematike të boksit mes Derek Çisora dhe Devid Hej. Sekretari i Përgjithshëm i BBBC, Robert Smith, ka kërkuar ndihmën e Komisionit Parlamentar mbi Boksin të drejtuar nga Sharlot Lesli, që të ndërhyjë për të ndaluar zhvillimin e ndeshjes së sanksionuar nga Federata e Boksit e Luksemburgut.
Meqë përfshirja e Luksemburgut në ndeshjen e planifikuar me 14 korrik në stadiumin “Apton Park” është në përputhje me ligjet mbi lirinë e tregtisë në Komunitetin Evropian, qeveria angleze nuk është se mund të thyejë këto rregulla nëse ndërhyn në këtë çështje.
Por BBBC mendon se duke lejuar një Federatë tjetër të operojë në Angli, për të anashkaluar dënimin që i është dhënë Çisoras nga drejtuesit e boksit britanik, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për sportin.
Promotori i Çisoras, Frenk Uorren, ka mbrojtur ligjshmërinë e këtij aktivitet dhe ka sulmua ashpër BBBC që po mundohet në të gjitha mënyrat të ndalë zhvillimin e ndeshjes në fjalë duke deklaruar se do të përjashtohej kushdo që do të kishte të bënte me këtë takim.
“BBBC i shkroi Unionit Evropian të Boksit (EBU) duke u munduar ta ndalonte ndeshjen dhe ata iu përgjigjën “Jo, sepse zhvillimi i ndeshjes së një Federate në një vend tjetër është arsyeja pse është krijuar ky Union”.Ata nuk mund të deklarojnë tani se do t’i heqin të gjithë personave licencat pasi një veprim i tillë do të binte në kundërshtim me ligjet e Komunitetit Evropian mbi tregtinë e lirë. Kur i hoqën Çisoras licencën, i thanë se ishte i lirë të aplikonte në një federatë tjetër”, ishte komenti i Uorren.
Sipas mediave angleze, vetëm në dy ditët e para pas lajmërimit, janë prenotuar rreth 20 mijë bileta nga tifozët e shumtë që duan të shohin këtë takim spektakolar që zhvillohet në ringun e ndërtuar në mes të fushës së stadiumit. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 12:31