Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, nuk kursehet asnjëherë kur bëhet fjalë për polemika dhe pas fitores 5-2 të ekipit të tij ndaj APOEL, duket se e ka patur mendjen më shumë te sfida tjetër gjysmëfinale, përballja Çelsi-Barcelona.
“Barcelona shkon në finale, sepse ata janë të mirë. Ata nuk janë favoritë, ata janë super-favoritë. Dua të jem i sinqertë, nuk mendoj se finalja do të jetë Real-Çelsi. Një prej skuadrave mund të jetë Bajern apo Barcelona, por nuk mendoj se ka mundësi të jetë Real-Çelsi dhe të gjithë e dimë përse”, tha ai duke aluduar për një ndihmë të mundshme në favor të katalanasve e bavarezëve.
Një ditë më parë, Zlatan Ibrahimoviç kishte shprehur”solidaritet” me Murinjon i cili sa herë që luan në “Kamp Nou” kundër Barcelonës, ankohet për gjyqtarët, ashtu siç bëri Milani. “Pse, vetëm tani e kuptoi ai? Ibra është një djalë inteligjent, unë mendoj se ka kohë që e ka kuptuar një gjë të tillë”, ishte batuta e Murinjos rreth dy penalltive të dhëna kundër Milanit në përballjen me katalanasit.
Në fund, disa fjalë edhe për Bajernin, rivalin e radhës dhe një prej pretendentëve kryesorë për fitoren e trofeut. “Bajern është një rival shumë i fortë. Është një ekip që e njoh mirë pasi është thuajse i njëjtë me atë që munda me Interin në finalen e dy viteve më parë dhe kanë lojtarë individualistë të mëdhenj. Unë dhe lojtarët po presim me padurim atë që do të jetë një gjysmëfinale e madhe”, tha Murinjo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 09:16