Real Madrid ka vulosur kalimin në gjysmëfinalet Ligës së Kampioneve duke fituar 5-2 përballë qipriotëve të APOEL, surprizës së këtij edicioni, ndërsa i kishte mundur 3-0 një javë më parë në shtëpi. Në “Santiago Bernabeu” ka qenë gjithçka shumë e thjeshtë për madrilenët të cilët kanë treguar superioritet të dukshëm deri tani në këtë turne, ndërsa në gjysmëfinale i pret detyra e parë e vështirë përballë Bajern Mynih.
Murinjo i jep një ditë pushim Ozil, Ksabi Alonso, Benzema, Kedira e Arbeloa, duke kthyer mes titullarëve Kaka e Shahin. Reali sulmon që nga minuta e parë, ndërsa APOEL mbrohet në të gjitha mënyrat. Por rezistenca e ekipit mik zgjat vetëm 26 minuta, aq sa i duhet Kristiano Ronaldos të shënojë golin e parë pas një asist të Marselo. Mbrojtësi brazilian është protagonist edhe 10 minuta më vonë kur jep pasimin për golin e dytë të shënuar nga Kaka.
APOEL vazhdon të qëndrojë i mbyllur në gjysmëfushën e tij, por në rastin e parë që i shfaqet në minutën e 67-të, Manduka arrin të mposhtë Kazijas, për të vënë për pak minuta në dyshim rezultatin e kësaj sfide. Në minutën e 75-të, Kristiano Ronaldo shënon me goditje dënimi të jashtëzakonshme dhe rivendos avantazhin e dy golave. Më pas është Kallehon që çon sfidën në shifrat 4-1. Një penallti e fituar nga Adorno dhe e transformuar saktësisht nga Solari nuk prish festën e tifozëve madrilenë, të cilët duartrokasin gjatë rikthimin me gol nga dëmtimi i gjatë të Di Marias, i cili shënon dhe vulos rezultatin përfundimtar 5-2.
Real Madrid do të luajë pas dy javësh ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve në Gjermani përballë Bajern Mynih, ndërsa ka avantazhin se luan sfidën e dytë përsëri në fushën e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 22:12