Kristiano Ronaldo ka pranuar në një intervistë të dhënë në faqen e internetit të Real Madrid se kjo skuadër është në rrugën e duhur për të fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve.
Sipas tij, gjysmëfinalja është thuajse e sigurt, pasi APOEL e ka të pamundur të rikuperojë një disavantazh prej 3 golash në “Santiago Bernabeu”. “Nuk dua të jem hipokrit, kualifikimi është i siguruar në 90%. Ekziston vetëm 10% i zakonshëm në futboll ku mund të ndodhë gjithçka. Por them se ne jemi në rrugën e duhur për të fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve”.
Lojtari portugez më pas ka kujtuar shkurtimisht edhe karrierën e tij, që nga akademia e deri tani. “Ka filluar gjithçka shumë herët në Madeira e pastaj u transferova në Lisbonë kur isha 11 vjeç. Kam luajtur te Sporting Lisbona për 7-8 vite, kam luajtur te Mançester Junajtid e tani jam te Real Madrid. Gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt për mua, por unë kam arritur të përfitoj nga çdo mundësi që më është dhënë. Kam kaluar vite të mrekullueshme në Portugali, në Mançester dhe që prej dy vitesh e gjysmë këtu, gjërat kanë ecur siç duhet. Po tregoj një nivel të mirë futbolli dhe shpresoj që të vazhdoj në këtë rrugë”, tha CR7.
Edhe ai, si të gjithë futbollistët e tjerë, ka kaluar momente të vështira, por tregon se si ka arritur t’i kalojë ato. “Në këto momente të vështira dallohen lojtarët dhe personat e mëdhenj. Mësoj shumë nga gabimet e mia, por ato janë pjesë e njerëzve dhe profesionistëve. Gjithmonë dëshiroj që të bëj sa më pak gabime që të jetë e mundur, pasi dihet që sa më shumë të bësh, aq më pak fiton”, u shpreh golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 21:02