Oskar Kardozo mbetet optimist se Benfika mund të eliminojë Çelsin nga Liga e Kampioneve brenda në “Stemford Brixh”. Londinezët siguruan një avantazh të rëndësishëm në ndeshjen e parë në “Estadio da Luz”, ku një gol i Solomon Kalu u dha fitoren minimale 1-0.
Megjithatë, Kardozo beson se Çelsi ishte thjesht me fat në sfidën e parë dhe kjo tregon se Benfika mund të kualifikohet mes 4 ekipeve më të mira të turneut.
“Nuk besoj se Çelsi ishte me i mirë se ne në ndeshjen e parë. Ishte një ndeshje me shumë fat për anglezët. Ne nuk kemi frikë të luajmë kundër asnjë prej skuadrave të kampionatit anglez”.
“Kemi mundur Mançester Junajtid në Ligën e Kampioneve dhe ata janë më mirë se Çelsi. Sfida jonë nuk është e lehtë, por është mundur”.
“Nuk e meritonim humbjen në Lisbonë dhe tani kemi mundësinë t’u japim një goditje të fortë në Londër. Për ne do të jetë e rëndësishme të shënojmë. Nëse Benfika merr kontrollin e lojës, atëherë do të shënojmë gola. Jam i bindur se lojtarët e Çelsit e dinë se nuk ka mbaruar asgjë”, tha Kardozo. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 18:49