Pep Guardiola duhet të ketë fërkuar duart pas përfundimit të ndeshjes Çelsi-Benfika, ku në gjysmëfinale ndaj Barcelonës së tij nuk u kualifikua ekipi më i mirë, domethënë Benfika. Portugezët i kanë dhënë një leksion futbolli anglezëve në fushën e tyre por çuditërisht ishte Çelsi që festoi në fund kualifikimin në gjysmëfinalet e turneut pas një fitoreje 2-1.
Skuadra angleze shihej si favorite për të kaluar turin edhe për shkak të fitores 1-0 në fushën kundërshtare, por Benfika kishte ardhur me ide të qarta në Londër, duke sulmuar që nga minuta e parë e duke vënë disa herë në vështirësi portierin Çeh. Megjithatë, vendasve i vjen në ndihmë edhe gjyqtari slloven Damir Skomina, i cili jep një penallti shumë të diskutueshme në minutën e 21-të, pas ndërhyrjes së Garsia ndaj Kol. Lampard transformon saktësisht nga pika e bardhe dhe i jep avantazhin ekipit të tij, duke lënë të kuptohet se ndeshja është mbyllur dhe kualifikimi është siguruar.
Por nuk e mendon njëlloj Benfika që vazhdon të sulmojë, edhe pse që në minutën e 40-të mbetet me 10 lojtarë pasi Skomina largon me karton të kuq kapitenin Maksi Pereira. Portugezët mbyllin Çelsin në gjysmëfushën e tyre dhe bëjnë që Çeh të bëhet protagonist kryesor i mbrëmjes me ndërhyrjet e tij.
Në minutën e 85-të, Havi Garsia shënon golin e barazimit dhe ngjall shpresat për skuadrën e tij, e cila në rast të shënimit të një goli tjetër do të siguronte kalimin e turit. Por golin e gjen Çelsi në minutën e 92-të me anë të një kundërsulmi të Raul Meireles, i cili vulos suksesin 2-1 dhe kalimin e londinezëve mes 4 skuadrave më të mira për herë të 6-të në 9 vitet e fundit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 22:35