Roberto Di Mateo u ka kujtuar lojtarëve të Çelsit se ata rrezikojnë të shkruajnë historinë e gabuar nëse nuk e marrin me seriozitet maksimal ndeshjen e kthimit përballë Benfikës në fushën e tyre.
Londinezët janë favoritë për t’u kualifikuar në këtë sfidë, pasi i nevojitet vetëm barazimi për ta kaluar turin, pas suksesit 1-0 në fushën kundërshtare në ndeshjen e parë.
“Vetëkënaqësia është një rrezik. Jemi në pushimin e ndeshjes dhe kryesojmë 1-0. Por një kryesim 1-0 nuk do të thotë asgjë. Lojtarët tanë janë të ndërgjegjshëm për këtë situatë dhe do të na duhet të hyjmë në fushë me të njëjtën sjellje si ndaj Napolit”.
Benfika është një nga skuadrat më të vështira në këtë edicion të Ligës së Kampioneve dhe këtë e ka treguar duke eliminuar edhe Mançester Junajtid në fazën në grupe. “Kjo përballje nuk është mbyllur. Ata kanë shënuar në çdo ndeshje jashtë fushës së tyre në këtë edicion ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Di Mateo.
Trajneri italian ka refuzuar të përgjigjet për çdo pyetje tjetër përveç atyre direkte mbi ndeshjen e të mërkurës. Ai nuk ka pranua të përgjigjet pyetjeve rreth të ardhmes së tij dhe nëse klubi po mendonte ta mbante në punë edhe pas përfundimit të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 20:04