Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka qenë përsëri i pakënaqur me Mario Balotelin, ndonëse ky i fundit shënoi 2 gola në sfidën ndaj Sandërlend të përfunduar në barazim 3-3.
Sipas trajnerit italian, ai ishte shkaktari kryesor pse skuadra nuk arriti të fitonte këtë sfidë, pasi shënoi vetëm në minutat e fundit të ndeshjes dhe jo atëherë kur duhej.
“Mendova që ta zëvendësoj që pas 5 minutash lojë, por në fund ai shënoi 2 gola në këtë sfidë. Ai nuk luajti mirë. Në një ndeshje të tillë, sulmuesit duhet bëjnë diferencën, por jo në dy minuta e fundit të ndeshjes, në minutat e mëparshme”, tha Mançini, i cili preferoi të mos komentonte incidentin e pjesë së dytë kur Baloteli u zu me Tevez dhe Kolarov për gjuajtjen e një goditje dënimi.
“Një lojtar si Mario apo Edin Xheko, duhet të shënojë 2-3 gola në një ndeshje të tillë. Në këtë moment na duhet Karlos Tevez, një sulmues që mund të bëjë gjëra të ndryshme. Kjo është ajo që do të bëj në vazhdim”, ka treguar Mançini, të cilit duket se i ka sosur durimi me Balotelin, edhe pse ky i fundit ka shënuar 13 gola në këtë kampionat.
Ndërkohë, është zbuluar se dëmtimi i Agueros ka ardhur për shkak të një alergjie ndaj një medikamenti të përdorur nga stafi i Mançester Sitit. Trajneri ka kërkuar që të bëhet në hetim i plotë mbi arsyen pse askush nga stafi mjekësor nuk dinte më përpara për këtë reagim alergjik të futbollistit argjentinas, i cili mungon në këtë pikë kaq vendimtare të sezonit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 10:28