Legjenda e Arsenalit, Tierri Henri, ka kaluar gjithë ditën e djeshme në avion, vetëm për të takuar ish-shokun e tij të skuadrës, Fabris Muamba, i cili gjendet në spital pas kolapsit që pësoi në fushë gjatë ndeshjes Totenhem-Bolton në fundjavë.
Futbollisti francez, që tashmë aktivizohet me Nju Jork Red Bulls, ka udhëtuar 5000 milje vajtje-ardhje brenda ditës në mënyrë që të takonte për një orë ish-shokun e tij të ekipit.
Ai ka treguar gjithashtu se lojtari tashmë është në gjendej të flasë në mënyrë perfekte dhe se riaftësimi po ecën mirë.
Henri i ka dhënë detajet e para të vizitës nëpërmjet profilit të tij në Twitter. “Duke u kthyer përsëri në SHBA – Fabris po bëhet shumë më mirë, një gjë fantastike. Do ju tregoj më shumë kur të kthehem përsëri në SHBA. Fabris është në gjendje të qëndrueshme dhe mund të flasë në mënyrë perfekte”, ishte komenti i publikuar në rrjetin social nga futbollisti francez.
Një nga doktorët e Muambas kishte treguar më parë për mediat se lojtari ka qenë i vdekur klinikisht për 78 minuta, ndërsa doktorëve u është dashur të përdorin 15 herë elektroshokun për të rikthyer rrahjet e tij të zemrës. Kjo është arsyeja pse të gjithë e cilësojnë një mrekulli fillimisht “ringjalljen” e pastaj riaftësimin që duket se po kalon pa pasoja. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 10:04