Mbrojtësi i majtë i Barcelonës, Erik Abidal, i ka dërguar një mesazh solidariteti mesfushorit të Bolton, Fabris Muamba, i cili pësoi infarkt në fushë gjatë ndeshjes së fundjavës kundër Totenhem.
Edhe Abidal po kalon një situatë të vështirë shëndetësore, pasi së shpejti pritet të bëjë transplantim të mëlçisë për shkak të tumorit që e goditi një vit më parë.
Të dy lojtarët kanë marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët dhe kolegët e tyre gjatë ditëve të fundit, ndërsa Abidal ka menduar se është e drejtë që edhe ai të tregojë solidaritet për një koleg që gjendet në vështirësi.
“Fabris Muamba, e gjithë zemra ime është me ty dhe me të dashurit e tu! Ne jemi me ty dhe me familjen tënde!”, ishte mesazhi që është shfaqur sot në faqen zyrtare të Facebook të mbrojtësit të ekipit katalanas.
Sipas raporteve të fundit që vijnë nga spitali i Londrës ku është shtruar Muamba, 23 vjeçari ka filluar të dialogojë normalisht me personat përreth, ndonëse mbetet ende nën vëzhgim 24 orë dhe situata e tij cilësohet kritike nga mjekët.
Ndërkohë, Abidal vazhdon të stërvitet rregullisht me skuadrën e Barcelonës, pasi nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të jetë data e operacionit të tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 March 2012 20:03