Lojtarëve të Bolton do t’u lejohet të mos marrin pjesë në ndeshjen e të shtunës kundër Bllekbërn nëse ata nuk e ndjejnë veten të përgatitur psikologjikisht një javë pas kolapsit në fushë të Fabris Muamba.
Trajneri Ouen Kojl, ka bërë të qartë për të gjithë lojtarët se asnjë prej tyre nuk duhet të ndjehet i detyruar kundrejt skuadrës, nëse mendon se nuk mund ta përballojë stresin psikologjik.
Ndonëse 23 vjeçari Muamba ka bërë një riaftësim të habitshëm që prej arrestit kardiak një javë më parë, ai vazhdon të jetë i shtruar në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Londrës.
“Nëse ndonjë lojtar nuk është gati, ai nuk do të luajë. Është e thjeshtë, nuk do t’i kërkoja kurrë një prej lojtarëve të mi të luante nëse nuk e ndjen veten të gatshëm”, tha trajneri Kojl. Ky i fundit ka një detyrë shumë të vështirë, pasi Bolton është i përfshirë në luftën për mbijetesë në elitën e futbolli anglez dhe tashmë përballet me një situatë shumë të veçantë.
“E dimë që nuk do të jetë e lehtë të kthehemi në fushë e që të përqendrohemi te mbijetesa. Ne luajmë lojën më të bukur në botë, por kur ndodh diçka si kjo, të gjitha përfundojnë jashtë dritares. Ne do të përzgjedhim ekipin më të mirë të mundshëm, por jam i sigurt se kushdo që do të zbresë në fushë do ta ketë mendjen te Fabris”, tha tekniku i cili ka kaluar pjesën më të madhe të javës në spitalin e Londrës, duke mos pranuar të largohet nga futbollisti i tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 11:05