Fabris Muamba, lojtari i Bolton që të shtunën në darkë pësoi infarkt në ndeshjen kundër Totenhem dhe për 7 minuta mbeti pa marrë frymë, ka dhënë sinjalet e para të riaftësimit. Sipas mikut të tij, Kërtis Kodrington, që e ka vizituar gjate pasdites në spital, ai ka arritur të murmurijë fjalët e para, version i cili më pas është konfirmuar edhe nga burimet zyrtare.
“Fabris Muamba mbetet në pavijonin e reanimacionit në spital ndërsa sot ka dhënë shenja të vogla përmirësimi. Zemra e tij rreh pa nevojën e mjekimeve dhe ai gjithashtu lëviz krahët dhe këmbët. Megjithatë, prognoza e tij afatgjatë mbetet e paqartë. Ai është në gjendje kritike dhe vazhdon të monitorohet nga afër nga stafi i spitalit”, shkruhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga autoritetet spitalore dhe klubi i Bolton.
Për t’u veçuar është fakti se lojtari ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga skuadra e tij, ku thuajse të gjithë lojtarë e ekipit kanë qëndruar me radhë në ambientet e spitalit londinez.
Trajneri Ouen Kojl, ka refuzuar të largohet që ty dhe prej të shtunës i është bashkuar familjarëve në spital duke qëndruar pranë “djalit” të tij. Ai ka marrë rolin e “zëdhënësit për shtyp”, ndërsa jep herë pas here për gazetarët e shumtë intervista rreth situatës së lojtarit.
Futbollisti ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga thuajse e gjithë bota nëpërmjet rrjeteve sociale, apo dhe intervistave që futbollistët kanë dhënë në kampionatin anglez, spanjoll, italian apo gjerman. Mesazhi më i fundit ka ardhur nga SHBA, ku ish-kapiteni i përfaqësueses angleze, Devid Bekam i ka dedikuar atij fitoren e LA Galaksi në kampionat. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 22:23