Ndërsa kampionatit australian po i vjen fundi, Besart Berisha po bëhet gati që të marrë dy tituj personal të rëndësishëm. I pari është “Këpuca e Artë” që i shkon golashënuesit më të mirë, ndërsa te çmimi i dytë ai është kandidat kryesor për fitoren e vlerësimit “Lojtari i Vitit” të sezonit të rregullt.
Mbështetja i ka ardhur edhe nga trajneri i skuadrës së Brisbein, Ante Postecoglu, i cili vlerëson se shqiptari është paraqitur më mirë se kandidatit tjetër i kësaj skuadre për të marrë këtë çmim, gjermani Tomas Broish.
“Kushdo që vjen në këtë kampionat dhe shënon aq shumë gola sa ai, do të ishte vlerësua në çdo pjesë të botës. Kontribut i tij jo vetëm për ne, por për të gjithë ligën, ka qenë i jashtëzakonshëm. Nëse bazohesh vetëm te golat dhe impakti i tij në kampionat, ai ka qenë lojtari më i mirë i këtij sezoni”.
Edhe vetë Berisha nuk e kishte imagjinuar një sukses kaq të madh që në sezonin e parë në kampionatin australian.
“Është e pabesueshme! Kur erdha këtu mendova se do të shënoja 7 apo 8 gola dhe do të isha i lumtur. Çdo gol më shumë që shënoj është bonus për mua”, tha lojtari shqiptar.
Ndërkohë, ai i ka hedhur sytë edhe nga Kupa e Kampioneve të Azisë, ku skuadra e Brisbein do të ndeshet të martën në darkë me kinezët e Beijing Guoan. Ekipi australian u mund në ndeshjen e parë në shtëpi përballë japonezëve të Tokios dhe rrezikon të eliminohet shumë shpejt nga ky turne.
“Ne duam t’i tregojmë Azisë që ndeshja e parë ishte një gabim. Është më mirë të mundesh në fillim sesa në fund”, ishin fjalët e Berishës. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 12:42