Diego Milito ka humbur një penallti që mund t’i jepte fitoren Interit, i ndalur në një barazim pa gola përballë Atalantës në “San Siro”. Zikaltërit kanë marrë një rezultat që nuk i ndihmon në luftën për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm dhe gabimi i argjentinasit nga pika e bardhë në minutën e 21-të mund të rezultojë vendimtar në fund të këtij edicioni zhgënjyes.
Ndërkohë, më keq ka bërë Lacio që është mundur me rezultatin 1-0 nga ekipi surprizë i sezonit, Katania, ndërsa tashmë rrezikon vendin e tretë në renditje, që çon në Ligën e Kampioneve. Skuadra e drejtuar nga Edi Reja pësoi gol 10 minuta para përfundimit të takimit, kur mbrojtësi veteran Nikola Legrotalje arriti të dërgonte topin pas krahëve të Marketit pas zhvillimit të një goditje nga këndi. Ky sukses çon Katanian në kuotën e 41 pikëve, duke e bashkuar me grupin e skuadrave që synojnë një vend në Europa League në sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Samir Ujkani ka mbajtur premtimin për të ndalur Erjon Bogdanin, pasi Novara e tij ka fituar me rezultatin 2-0 në fushën e Sienës për të mbajtur gjallë shpresat e pakta që ka për mbijetesë në Serinë A. Gjithçka është vendosur në minutat e fundit të ndeshjes, kur fillimisht Rigoni e pastaj Porkari kanë gjetur rrugën e rrjetës për t’i dhënë këtë sukses të merituar skuadrës së vogël piemonteze. Novara ngjitet në kuotën e 23 pikëve pas këtij suksesi të dytë radhazi në kampionat, por është ende 8 pikë larg vendit të 17-të që siguron mbijetesën në Serinë A, i cili mbahet nga Parma. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Kaljari-Çezena 3-0
Inter-Atalanta 0-0
Bolonja-Kievo 2-2
Katania-Lacio 1-0
Siena-Novara 0-2
Leçe-Palermo 1-1
Renditja
Milan 60, Juventus 56, Lacio 48, Napoli 46, Udineze 46, Roma 41, Inter 41, Katania 41, Bolonja 36, Palermo 35, Kievo 35, Atalanta 34, Kaljari 34, Xhenoa 33, Siena 32, Fiorentina 32, Parma 31, Leçe 26, Novara 23, Çezena 17.
Sunday, 18 March 2012 19:36