Juventus ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në fushën e Fiorentinës duke mundur këtë të fundit me rezultatin e thellë 5-0. Ndonëse kjo është një nga fushat më të vështira për bardhezinjtë për shkak të armiqësisë së betuar mes tifozerive, skuadra e Kontes ka ditur të dominojë që nga minuta e parë deri në të fundit, duke arritur të marrë një rezultat që i shërben si për kampionatin, ashtu edhe për të trembur Milanin para ndeshjes së mesjavës në Kupën e Italisë.
Bardhezinjtë kanë nisur vrullshëm takimin, duke gjetur golin e avantazhit pas vetëm 15 minutash me Vuçiniç që shënon me një gjuajtje nga jashtë zonës. Vetëm 6 minuta më vonë, Fiorentina e sheh veten edhe në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Çerçi i cili godet me shkelm De Çeljen dhe mbyll para kohe ndeshjen e tij. Vendasit duken të dorëzuar dhe në minutën e 28-të pësojnë golin e dytë, këtë radhë nga Vidal i cili gjen të përgjumur mbrojtjen kundërshtare duke dërguar topin në rrjetë me dy tentativa pas zhvillimit të një goditje nga këndi.
Juventus vazhdon të sulmojë furishëm dhe regjistron rast pas rasti edhe në pjesën e dytë. Vuçiniç kthehet nga shënues në pasues, e arrin të gjejë fillimisht Markizion e më pas Pirlon të cilët falënderojnë duke dërguar topin në rrjetë në minutat 55 dhe 67. Në minutën e 72-të vjen edhe goli i Padoin që mbyll ndeshjen dhe i jep këtë sukses Juventusit pas katër barazimesh radhazi që e larguan atë nga kreu i renditjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 March 2012 23:41