Duke menduar për sfidën me Barcelonën në Ligën e Kampioneve, Milan po bën të pamundurën për të mbyllur sa më parë kampionatin që të jetë i qetë në këtë turne dhe të përqendrohet vetëm në sfidën me katalanasit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Masimiliano Alegri kanë fituar 2-0 në fushën e Parmës, në një sfidë ku vendasit ia kanë thjeshtuar shumë punën ekipit mik.
Pavarësisht një fillimi të mirë për Parmën, Milani godet që në rastin e parë që i krijohet, një 11-metërsh i fituar pas ndalimit të topit me dorë të Zakardos ndaj gjuajtjes së Ibrahimoviç. Suedezi transformon saktësisht nga pika e bardhë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij, e cila më pas krijon disa raste radhazi para portës së vendasve të tronditur nga ky disavantazh i papritur.
Reagimi i Parmës vjen me Paleta i cili godet traversën, ndërsa vendasit mësyjnë zonën e Milanit duke kërkuar barazimin. Por në momentin më të mirë të tyre, Milani godet përsëri, këtë radhë me Emanuelson i cili shënon golin e dytë pas një sllallomi mes mbrojtjes kundërshtare.
Pavarësisht tentativave të dy skuadrave, rezultati nuk ndryshon dhe Milani merr tre pikë shumë të vlefshme në luftën për titullin kampion. Për t’u shënuar është edhe rikthimi në fushë pas shumë muajsh i mesfushorit Gatuzo, i cili duket se ka lënë përfundimisht pas krahëve problemet fizike. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 March 2012 20:51