“Kemi vuajtur shumë, shumë, shumë, shumë. Çfarë gabuam? Do të analizojmë gjithçka, edhe rreshtimin taktik”. Këto kanë qenë fjalët e Adriano Galianit i cili nuk ka ngurruar të kritikojë edhe trajnerin Masmiliano Alegri për paraqitjen e Milanit përballë Arsenalit.
Drejtuesve kuqezinj nuk i ka pëlqyer rreshtimi i skuadrës dhe sidomos mos-përgatitja e lojtarëve për “luftë” përballë një ekipi të uritur që kërkonte me ngulm një rezultat të rëndësishëm. “Edhe unë kam vuajtur dhe preferova të mos i shihja 20 minutat e fundit të ndeshjes. Pas rastit të Van Persit mendova se do vdes, po fatmirësisht jam gjallë. Kemi vuajtur shumë, por na shkoi mbarë. Do të analizojmë gjithçka, por tani t’i gëzohemi një gjëje që na mungonte prej 5 vitesh, prania mes 8 skuadrave më të mira në Ligën e Kampioneve”.
“Tani shpresojmë që ky kualifikim të na ndihmojë edhe në renditjen e klubeve për sezonin e ardhshëm, pasi këtë vit, duke qenë në vazon e dytë, na ra në short Barcelona”, u shpreh administratori i deleguar i Milanit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 17:10