Forma e jashtëzakonshme që po kalon Zlatan Ibrahimoviç dhe golat që shënon me vazhdimësi, e kanë kthyer atë përsëri në një nga sulmuesit më të fortë në qarkullim. Për këtë arsye presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, shpreson që futbollisti të ketë mundësinë të shpallet lojtari më i mirë në botë duke fituar “Topin e Artë”.
“Shpresoj që të tregojë veten edhe në Ligën e Kampioneve, pasi përveç formës që po kalon, ka përmirësuar edhe teknikën, si mënyrë loje duke dhënë pasime të papritura për lojtarët e tjerë, ndaj e meriton me të vërtetë të fitojë ‘Topin e Artë’”, ishin fjalët e Berluskonit.
“Alegri? Më ka pëlqyer që në momentin e parë. Problemi i vetëm ishte rinovimi i kontratës ku Milani kërkonte të kursente para ndërsa trajneri kërkonte të vlerësohej më shumë. Por kjo ishte thjesht çështje personale vlerësimi nga palët”, komentoi ai duke e kthyer pastaj bisedën rreth ndeshjes me Arsenalin.
“Milani duhet të zbresë në fushë me idenë për ta fituar ndeshjen, duhet të jetë zot i lojës dhe jo të shkojë atje e të mbyllet në mbrojtje. Milani është skuadra me më shumë tituj në botë por edhe më e njohura. Në një sondazh të bërë nga Kombet e Bashkuara, ku pyeste për tre gjërat që të vinin në mendje kur flitej për Italinë, në vend të parë fatkeqësisht ishte mafia, në vend të dytë ishte pica dhe në vend të tretë ishte Milan”, ishte batuta e ish-kryeministrit italian që tashmë është kthyer përsëri në një tifoz të rregullt të kuqezinjve duke qenë thuajse çdo javë i pranishëm në stadium për ndeshjet e kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 10:40