Arsen Venger i ka bërë thirrje ekipit të tij të besojë se mund të rishkruajë librat e historisë duke përmbysur rezultatin 4-0 të ndeshjes së parë ndaj Milan në Ligën e Kampioneve. Dy javë më parë, situata dukej tragjike por fitoret e njëpasnjëshme ndaj Totenhemit dhe Liverpulit kanë kthyer besimin te Arsenali.
“Kam thënë se nuk jetoj në botën e ëndrrave dhe kjo do të thotë se jam i ndërgjegjshëm që nuk kemi një situatë të lehtë përpara. Por kur luan në nivele të larta, edhe nëse ke vetëm 5% mundësi, atëherë duhet të bëjmë maksimumin për të shfrytëzuar këtë 5%. Le të sigurohemi që nuk e humbëm mundësinë tonë pse nuk besuam te ky 5%”, tha Venger.
Vetëm 3 klube kanë arritur të kthejnë një disavantazh kaq të thellë në historinë e Ligës së Kampioneve, por ato ndeshje ishin në mesin e viteve ’80. Ndërkohë, Milan ka një histori të hidhur në vitin 2004, kur fitoi 4-1 ndeshjen e parë por pastaj u mund 4-0 në ndeshjen e kthimit dhe u eliminua nga Deportivo La Korunja.
“I njoh mirë lojtarët e mi, e di që janë tronditur nga ndeshja e parë dhe që janë krenarë. Jam i bindur që do të dalin në fushë de do të japin maksimumin. Ne u mundëm 4-0 në Milano por ata gjuajtën vetëm 5 herë në portë, ndërsa ne patëm 55% mbajtje topi duke mos luajtur mirë”.
“Nëse ata na shënuan katër gola, pse të mos e bëjmë edhe ne një gjë të tillë”, ishin fjalët e Venger në konferencën për shtyp pas stërvitjes së fundit. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 March 2012 23:11