Humbja 3-0 në Angli ka lënë një shije të hidhur te Milani, pavarësisht kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.
Pikërisht kualifikimi ka qenë gjëja e vetme e gëzueshme në përballjen me Arsenal, ku kuqezinjtë rrezikuan shumë dhe mund të përballeshin me një eliminim të bujshëm, ndonëse kishin fituar 4-0 ndeshjen e parë.
“Mund të them se kemi gabuar krejtësisht ndeshjen në anën teknike, duke gabuar pasime të thjeshta në mesfushë apo duke mos sulmuar. Na vjen keq për një situatë të tillë por e rëndësishme ishte të kalonim turin”.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme edhe për kampionatin, pasi do të kishte qenë një goditje e rëndë nëse do të eliminoheshim pas një fitoreje 4-0 në ndeshjen e parë”, ishin fjalët e trajnerit Alegri.
Të të njëjtit mendim janë edhe lojtarët e skuadrës, duke filluar nga portieri Abiati. “Për pak sa nuk çuam dëm një avantazh prej katër golash, fatmirësisht ndalova Van Persin në atë që mund të ishte goli i 4-0. Hoqëm dorë shumë shpejt nga sulmi dhe u ndëshkuam, nuk duhet të përsëritim më këto gabime”, tha ai.
“Në pjesën e parë shkoi gjithçka keq, pësuam gol në çdo episod. Në pjesën e dytë arritëm të qarkullonim topin dhe kishim më pak frikë. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin më, pas një ndeshje të tillë nuk ke çfarë të festosh”.
“Duam të ecim sa më shumë në këtë turne, por për ta realizuar një gjë të tillë, duhet të përmirësohemi ndjeshëm”, ishin fjalët e qendërmbrojtësit Filip Mekses pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 11:44