Mançester Junajtid ka fituar 3-1 në fushën e Totenhem, duke marrë një sukses të cilin Aleks Ferguson disa ditë më parë e cilësonte si më të rëndësishmin e sezonit. “Djajtë e kuq” fillimisht kanë përballuar furinë e vendasve, e më pas kanë ditur të godasin pikërisht atëherë kur Totenhem dukej më pranë golit, duke prerë shpresat e skuadrës së drejtuar nga Herri Redknap.
Ndeshja ka filluar nën trysninë e Totenhem që ka rrezikuar disa herë, i ndaluar nga De Gea, ndërsa vendasve iu anulua edhe një gol për prekje të topit me dorë nga Adebajor. Kur dukej se pjesa e parë po përfundonte në barazim, “djajtë e kuq” kanë gjetur golin me anë të Uejn Runi, pas zhvillimit të një goditje nga këndi.
Pavarësisht tentativave të Totenhem për të gjetur barazimin, janë miqtë që shënojnë përsëri dy herë radhazi me anë të Eshli Jang, i cili gjen rrjetën me dy veprime spektakolare.
Fillimisht ai dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje gërshërë në minutën e 60-të për të çuar rezultatin në 2-0, ndërsa 9 minuta më vonë realizon edhe golin e 3-0 me një gjuajtje perfekte nga jashtë zonës.
Goli i Defo shërben vetëm si ngushëllim për Totenhem që pas kësaj humbje duhet të ruhet pasi rrezikon të humbasë vendin e tretë në renditje, sepse tani Arsenali gjendet vetëm 4 pikë larg. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Njukasëll-Sandërlend 1-1
Fullhem-Ulvërhempton 5-0
Totenhem-M. Junajtid 1-3
Renditja
Mançester Siti 66, Mançester Junajtid 64, Totenhem 53, Arsenal 49, Çelsi 46, Njukasëll 44, Liverpul 39, Stouk 36, Fullhem 36, Noruiç 35, Uest Bromuiç 35, Everton 34, Sandërlend 34, Suonsi 33, Aston Vila 30, QPR 22, Ulvërhempton 22, Bllekbërn 22, Bolton 20, Uigan 20.
Sunday, 04 March 2012 20:54