Robin Van Persi ka bërë që Liverpuli të qajë rastet e humbura, pasi dy golat e tij i kanë siguruar Arsenalit një fitore 2-1 në “Anfild”.
Portieri i “topçinjve” Shçezesnji priti penalltinë e Dirk Kajt në minutën e 18-të të ndeshjes, por u ndëshkua vetëm 5 minuta më vonë nga një autogol i shokut të tij të skuadrës, Koshielni, i cili ktheu në portën e vet harkimin e Henderson.
Por avantazhi i Liverpulit zgjati vetëm 7 minuta, pasi një harkim i Sanja nga djathta u devijua në rrjetë me kokë nga Van Persi.
Liverpuli goditi dy herë shtyllën në pjesën e parë, ndërsa vazhdoi të krijonte raste për shënim edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, të cilën po e dominonte.
Por Van Persi shënoi përsëri në kohën shtesë duke mundur Pepe Reina me një gjuajtje fluturimthi.
Fitorja e Arsenalit ka ndalur rekordin e pathyeshmërisë së Liverpulit në shtëpi në këtë sezon, ndërsa tashmë “topçinjtë” janë vetë 4 pikë pas Totenhemit të vendit të tretë që luan të dielën ndaj Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 16:50