Situata te Çelsi sa vjen e përkeqësohet. Londinezët kanë bërë një tjetër hap të gabuar dhe tashmë shohin Arsenalin të marrë vendin e katërt dhe të arratiset 3 pikë sipër tyre në renditje, ndërsa vetëm pak javë më parë situata ishte krejtësisht ndryshe dhe blutë gjendeshin të qetë në këtë pozicion që të çon në Ligën e Kampioneve.
Skuadra e drejtuar nga Andre Vijas-Boas nuk ka ditur të shfrytëzojë rastet e krijuara përballë Uest Bromuiç dhe është mundur me rezultatin 1-0 nga goli i MekAuli vetëm 8 minuta para përfundimit të sfidës. Tani AVB rrezikon seriozisht shkarkimin nga detyra, pasi edhe tifozeria e skuadrës është kundër tij, meqenëse ka kuptuar se ish-zëvendësi i Murinjos, nuk ka asnjë lidhje me “Special One”.
Ndërkohë, Mançester Siti vazhdon të dominojë kampionatin anglez duke bindur me paraqitjet që bën. Skuadra e Roberto Mançinit ka mundur 2-0 Boltonin në një takim që mund të kishte patur një diferencë më të thellë golash nëse Mario Baloteli do të kishte qenë më i saktë para portës kundërshtare.
Sulmues italian pritej të merrte ndëshkim nga klubi për “jetën e natës” pa leje, por çuditërisht ai ka figuruar mes titullarëve dhe ka qenë ndër futbollistët më të mirë në fushë duke krijuar raste të njëpasnjëshme. Ai ka shënuar golin e dytë për skuadrën e tij në minutën e 69-të duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-0, ndërsa goli i parë për Sitin kishte ardhur në pjesën e parë falë një autogoli të Steinson. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Liverpul-Arsenal 1-2
Bllekbërn-Aston Vila 1-1
Mançester Siti-Bolton 2-0
QPR-Everton 1-1
Stouk-Noruiç 1-0
Uest Bromuiç-Çelsi 1-0
Uigan-Suonsi 0-2
Renditja
Mançester Siti 66, Mançester Junajtid 61, Totenhem 53, Arsenal 49, Çelsi 46, Njukasëll 43, Liverpul 39, Stouk 36, Uest Bromuiç 35, Noruiç 35, Everton 34, Sandërlend 33, Fullhem 33, Suonsi 33, Aston Vila 30, QPR 22, Ulvërhempton 22, Bllekbërn 22, Bolton 20, Uigan 20.
Saturday, 03 March 2012 19:27